Fatmir Haxhiu lindi më 28 dhjetor 1927 në qytetin e Gjirokastrës,Shqipëri. Rrjedh nga një familie e mesme qytetare patriotike nga qyteti i Përmetit. Në vitin 1930 familia e tij u vendos me banim në qytetin e Tiranës, ku kaloi gjithë jetën deri në ditët e fundit më 10 Mars 2001.

Kreu shkollën fillore në "Shkollën e Kuqe" një nga shkollat e dëgjuara me mësues patriot si Sotir Milto Zgura, Sali Morina të cilët qenë të parët që e inkurajuan Fatmirin të vizatonte duke parë dëshirën e tij për tu bërë piktor. Kreu studimet në shkollën e mesme në Liceun e Tiranës.

Nga viti 1941 edhe pse ish rreth të 14 dhjetave merr pjesë në rininë komuniste shqiptare të shkollës. Gjatë pushtimit fashist në vitin 1942 përkrah lëvizjen çlirimtare dhe në shtator të vitit 1943 del partizan dhe lufton deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë. Në nëntor të vitit 1945 Fatmiri shkon për studime ushtarake në Beograd(Jugosllavi) në shkollën "VOJNA UCISHTE", ku për 6 muaj mori njohuri të përgjithshme ushtarake dhe pas ndarjes së degëve ai vazhdon studimet në Zagreb në shkollën e artilerisë "OFICIRSKA SKOLA I VOJNO UCILISTE ZEMALJSKE ARTILJERIJE".

Zagrebi i dha oficerit të ri ndër të tjera edhe shijet e punës estetike, edukative për të bukurën e bashkohoren. Aty Fatmiri njihet së pari jo vetëm me harmoninë e arkitekturës së qytetit por edhe me kulturën e larmishme të tij, muzikën, sportet, artet figurative. I etur së brëndëshmi për të thithur sa më shumë përshtypje, Fatmir Haxhiu vrojtonte me kureshtje gjithçka. Falë natyrës së tij të shkathët si djalosh kryeqytetas, atë e karkterizonte disiplina,vullneti i admirueshëm,karakteri i fortë, energjik e qëndrimi korrekt.

Kryen studimet me sukses, dhe në vitin 1948 kthehet në atdhe plot energji, kulturë dhe ëndra duke mos e braktisur për asnjë moment dëshirën dhe pasionin e tij për pikturën. Ai punonte dhe merrej vazhdimisht me aktivitete artistike sidomos për festat kombëtare, apo ngjarjet e shënuara historike. Në ushtri, artisti i ardhshëm gjeti mjedisin e tij, fillimisht në Regjimentin e Artilerisë në qytetin e Beratit e më pas si zv/shef operativ i Komandës së Artilerisë së Ushtrisë deri në vitin 1956. Për tre vjet nga viti 1956-1959 punoi si pedagog i taktikës së artilerisë në Shkollën e Bashkuar të Oficerave (sot Akademia Ushtarake e Trupave Tokësor "Skenderbej").Gjatë kësaj periudhe ai u dallua për aftësin organizuese, disiplinën, shpirtin kërkues ndaj vehtes, përgatitjen e lartë, korrektësinë dhe seriozitetin në mësim dhënje.

Njihet shumë herët që më 1944, me Andrea Mano,Llazar Nikolla,Kel Kodheli, Sadik Kaceli(sot, artistë më në zë të skulpturës e pikturës shqiptare) ku përpunuan formulimin dhe realizimin figurativ të kongresit të Bashkimit të Rinisë Antifashiste Shqiptare.Këta artist me eksperiencë së bashku me piktorin Nexhmedin Zajmin, skulptorin Odise Paskali, piktorin Foto Stamo duke parë devotshmërin,seriozitetin,pasionin,talentin e Fatmir Haxhiut e ndihmuan shumë dhe në pregatitjen teorike pasi panë tek ai shpirtin e gjërë e të ndjeshëm,një piktor që do të rradhitej më vonë me dinjitet krahës tyre

Nga mesi i viteve 50, Fatmir Haxhiu u bë promotori dhe krijuesi i studios së parë ushtarake në Shqipëri, ku u pasua edhe nga piktorë e skulptorë të tjerë të rinj,që sapo kishin mbaruar Licuen Artistik të Tiranës.Në vitin 1959 për herë të parë merr pjesë në ekspozitën kombëtare të pikturës, ku vlersohet me çmimin e dytë,i pari vlerësim ky që i dha forcë dhe e inkurajoi për më tej.Për vite me rradhë piktori u aktivizua dhe me vizatime e grafika në revistën"10Korriku".Të shumta janë tregimet nga lufta që ai ka ilustruar duke ju shtuar atyre emocion dramatik, si në gazetën"Luftëtari",në organe të tjera të shtypit, të shtëpisë botuese"Naim Frashëri"e tjer.

Edhe pse me punën e talentin e tij ai kishte arritur diçka, dëshira për të vazhduar studimet e larta për piktur e ngacmonte vazhdimisht. Në vitin 1959 në Institutin e Lartë të Arteve pas përfundimit të konkursit u pranuan të ndjekin studimet 7 studentë nga 70 kandidatë të paraqitur. Njëri prej fituesve qe edhe Fatmiri. Kështu ai fillon studimet të cilat i përfundon me rezultatin shkëlqyeshëm në vitin 1965.

Punimi i tij për dipllomën ishte kompozimi me temë nga lufta N-Çl "Kalimi i Divizionit të Parë në Veri"(200x300)cm.. Studentit Haxhiu iu desh të bënte një punë kolosale, ai studjoi gjatë lidhur me armatimin e paisjet, veshjet, zgjedhjen e pejzazhit, të gjitha këto për të arritur një shkallë sa më të lartë vërtetësie historike. Në të njëjtën kohë ai mundi të interpretonte artistikisht në vepër heroizmin dhe sakrificën që dallonte heronjte e luftës. Tablloja e tij e dipllomës, është regjistruar në historikun ende të pashkrur të shkollës së lartë të artit, si një ndër arritjet më të shkëlqyera.

Tema e luftës dhe qëndresa heroike e popullit shqiptar në shekuj do të bëheshin motivi kryesor i tërë krijmtarisë së artistit.

Edhe pasi u diplomua ai vazhdoi të punojë si kuadër ushtrie, duke kryer detyra me përgjegjësi të ndryshme në Ministrinë e Mbrojtjes me gradë deri Nënkolonel.
Krahas funksioneve në ushtri dhe punës në atelje, Fatmiri ka qënë një artist i angazhuar edhe në problemet e drejtimit në strukturat e shoqatat artistike. Ka qënë anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve nga viti 1966-69 dhe anëtar i Komitetit Drejtues të saj deri në vitin 1991. Gjithashtu ai ka qënë anëtar i komisionit të pikturës pranë Komisionit Shtetëror për Artet Figurative të Shqipëris, kryetar i komisionit të pikturës pranë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe anëtar i këshillit artistik të Galerisë Kombëtare të Arteve. Aktiviteti artistik i Fatmir Haxhiut është i ndërthurur edhe me atë pedagogjik, ku ai për vite me radhë ka kontribuar për diplomimin e brezave të rinj të piktorëve me emër. Nga viti 1970-1982 ka qënë pedagog i jashtëm i Insitutit të Lartë të Arteve në atelienë e pikturës monumentale për kurset e III-ta dhe të IV-ta. Nga viti 1967 ka ushtruar krijimtarinë e tij duke qënë në profesion të lirë.

Në këto katër dekada pune të pa lodhur në fushën e pikturës, ka realizuar një numër të madh veprash në gjininë e kavaletit dhe asaj monumentale.Sot punimet e tij gjënden kudo brënda dhe jashtë vendit. Ato janë ekspozuar apo janë pronë e Galerisë Kombëtare të Arteve, Muzeut Historik Kombëtar, Muzeut Historik të qytetit të Tropojës, Burrelit, Vlorës, Përmetit, si dhe në institucione të tjera social-kulturore. Gjithashtu shtrirja e punimeve jashtë atdheut është e gjërë dhe e admirueshme. Punimet ndodhen në koleksionet private të artëdashësve në Itali, Francë, Spanjë, Austri, Greqi, Japoni, Kinë, Rusi, Amerikë, Zvicër, Hungari, Turqi, Jugosllavi, Australi, etj.

Në konkurset kombëtare prej vitit 1966 deri në vitin 1990 ka fituar tre çmime të para, dy çmime të dyta dhe një çmim të tretë. Eshtë laureat i Çmimit të Republikës së shkallës parë me veprën "Skroskë 1944" (206 x 330)cm, si dhe i Çmimit të Republikës së shkallës së tretë për veprën "Me shpatë në dorë"(550 x 450)cm. Shumë vepra të krijimtarisë së tij janë popullarizuar nëpërmjet botimeve në organe të ndryshme të shtypit si në gazetat "Drita", "Zëri popullit", "Puna", "Bashkimi", "Zëri i rinisë", "Luftëtari", në revistat "Albania", "Nëntori", "Ylli", "Shqipëtarja e Re", "10 Korriku", "Në shërbim të popullit", "Rruga e Partisë", në revista ushtarako politike, në kopertina librash, albume, tekse shkollore, kartolina, fletë riprodhimi të veçanta, katalogje ekspozitash, në pulla filatelie shqiptare dhe të huaja, etj.

Për të gjithë këtë aktivitet të gjatë e të suksesshëm artistik, Fatmir Haxhiu është nderuar me titullin e lartë "Piktor i Merituar". Me rastin e 70 vjetorit të lindjes së tij iu dha gjithashtu urdhëri "Mjeshtër i Madh i Punës".

Në krijimtarinë artistike, vepra e piktorit të rrëmben për nga përmasat e kompozimit, ritmin e saj, për numrin e madh të figurave, personazheve, e luftrave shqiptare ndër shekuj. Në tabllotë e tij janë prezantuar momente kyçe të historisë së popullit shqiptar gjë që përbën në thelb individualitetin e tij krijues. Personazhet në veprat e tij nuk njohin disfat apo tërheqje.Të marrë nga realiteti karakteristik shqiptar ata janë të vërtetë.

Karakteristikë e krijmtarisë së tij është dinamika, epizmi i thellë që trasmetohet në ritmin kompozicional, vizatimin e fuqishëm ekspresiv, në kontrastet grafike e tonale me gamë koloristike dramatike dhe ekspresive. Piktura e Fatmir Haxhiut mbeti e nxehtë, shumëngjyrëshe, figurative dhe vlerësuese mbi pikturën e modelit të figurës njerëzore dhe mjedisit ku ajo veproi. Personazhi(njeriu) në pikturën e Haxhiut vjen me gjeste të theksuara duke i dhënë rëndësi lëvizjes energjike që në të gjitha herët është e pasur me detajin monumental të realizuar në teknikën e vajit. Figura e njeriut në tabllotë e tij është shprehi e qartë e kërkesës së kohës për formimin e një njeriu të ri, vital, heroik dhe vendimmarrës. Piktura e Haxhiut është pikturë impulsive dhe energjike siç ishte dhe vet karakteri psikologjik i tij. Tabllotë e tij janë shprehi, në to lexon histori shqiptare. Ato njëkohësisht shprehin qartë idetë dhe qëndrimet e vet autorit për periudhat historike të pasqyruara në to. Piktura e tij është rezultat i talentit, punës dhe vullnetit të autorit.


Gjirokastër

Duke analizuar veprën e gjërë të mjeshtrit mund të arrijmë në përfundimin logjik se ajo është realiste në formë dhe optimiste në ide. Gjuha artistike që ai përdor, është mjeshtërore, dinamike, e thjeshtë dhe e qartë. Haxhiu, në krijmtarinë e tij artistike na ka lënë jo vetëm tabllo kompozicionale të mëdha, por edhe mjaft vepra të tjera të gjinisë së pejzazhit, portretit e punimeve grafike. Ndër veprat më të arrira e më të suksesshme mund të përmendim:"Skroskë1944"(206x330)cm, "Tenda e qypit"(300x500)cm, "Beteja e Albulenës"(150x300)cm, "Me shpatë në dorë"(550x450)cm, "Bashkimi i Principatave" afresk(300x800)cm, "Vrana Konti me trimat e tij" afresk(110x300)cm ,"Kryengritja e Matit"aseko(260x500)cm,"Çajmë rrethimin"(240x240)cm "Këshilltarët e Hekalit"(303x243)cm,"Tokë e zhuritur"(300x200)cm," Shpallja e Republikës"(300x500)cm,"Në shtabin e Përgjithshëm-Odriçan"(200x178)cm, "Beteja e Kaçanikut"(150x200)cm ,"Sofra e poezisë Kosovare,"Lypsja"(80x100)cm, "Vallja e shpatave"(100x150)cm e tjer.

E gjithë krijimtaria e tij u realizua në formatin dhe konceptin e artit realist

Me inisiativën e tij, prej datës 17 Tetor deri më 27 të vitit 2000 bëri nje vizitë në krahinën e Kosovës, në Prishtinë e Pejë,ku u takua me punonjës të Galerisë së Atreve,me studentët dhe pedogogët e Fakultetit të Atreve,me punonjësit e Muzeut Historik,Muzeut Etnografik si dhe me personalitete të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në këtë mënyr ai tentoi të njihet më afër e më thellë me betejat dhe heroizmat që janë zhvilluar në tërsi me dramën Kosovare.Nga kjo njohje ai do angazhohej të realizonte disa vepra arti të karakterit monumental si"Beteja e Llapit","Heroizmi i Adem Jasharit","Masakrat","Gjenocidi ose Shpërngulja","Beteja e Fushë Kosoves".

Që nga data 10 Mars 2001, në kavaletin e tij të punës ka mbetur zgjidhja kompozicionale në bardh e zi,e punimit të tij të fundit që ishte një porosi e marrë nga Muzeu Historik i Kosovës. Edhe ky është një kompozim monumental, me shumë figura i titulluar nga autori "Beteja e Fushë Kosovës"(250x600)cm.

Kjo dëshmon edhe një herë se Fatmir Haxhiu deri në fund të krijmtaris së tij,nuk u shkëput nga frymëzimi që i buronte prej historisë së popullit të tij.
Realizimi i këtyre veprave do të plotësonte edhe një nga ëndrat e piktorit.

Ideali i tij kombëtar si ushtarak dhe artist ishte i pandarë. Çdo vepër e tij është studim, shkencë, histori dhe art, një zgjidhje e përkryer e një mjeshtri që do të mbetet shkollë në pikturën bataliste shqiptare, shkollë artisti që diti të bashkojë talentin artistik dhe atë ushtarak me pathosin e njeriut aktiv në jetë, në shoqëri, me botë të gjërë dhe bujare.

Çdo vepër e Fatmir Haxhiut është një copë Shqipëri. Çdo vepër është një betejë. Çdo vepër e tij është një fitore. Krijimtaria e tij vërteton se ai kishte energji të mëdha krijuese, pune, besimi, jete, e të ardhmeje.

Rëndësia në tërrësin e veprës së tij qëndron në atë se gjithëkush do të lexojë qartë një pjesë të biografisë së popullit shqiptar.

"Mjeshtri i Madh i Punës" Fatmir Haxhiu ka shumë miq dhe dashamirës. Ka kudo ku gjëndet vepra e tij, pasi në themel të saj qëndron mesazhi kombëtar. Ai ripërtëriu historinë në art dhe lartësoi heronjtë me mjeshtëri të veçanta artistike.

Dekori

 


Shënim:
Biografia ėshtė pėrgatitur duke u mbėshtetur nė artiktikujt dhe materiale tė marra nga:

  • Libri "Personalitete Ushtarake Shqipëtare në Vite"
  • Përshtypje dhe shënime nga Kristaq Rama (Skulptor i Popullit), Prof.Dhimitër Shyteriqi,(Prozator,poet,studiues i letërsis, "Nder i Kombit"),Dritëro Agolli(Prozator,poet,publicist,"Nder i Kombit"), Kujtim Buza (Piktor i Merituar), Llambi Blido ( Piktor, kritik arti),Gazment Muka (Kritik arti), Suzana Varvarica Kuka( Skulptore, studjuese pranë Galerisë Kombëtare), Enver Kushi, Thoma Noti, (Shkrimtar), Flori Slatina( Gazetar ) etj.
  • Shënime dhe dokumenta të piktorit Fatmir Haxhiu