Kujtim Aburahim Buza.Piktor i Merituar
9 Korrik 2001

M’u kujtuan ditët që kaluam së bashku në Grac të Auatrisë si të ftuar të mjeshtrit të madh të pikturës austriake dhe europiane, piktorit Peter Richard Oberhuber. Portretet me karbon që punoi atëherë Fatmiri, mahënitën njerëzit e kulturës dhe të artit austriak. Ekspozita jonë e përbashkët me motive nga Graci u mirëprit dhe pati jehonë, prandaj edhe kryetari i Bashkisë së këtij qytetit, në prani të ambasadorit shqipëtar, shënoi në librin e nderit të qytetit emrat e të dy piktorëve. (Fatmir Haxhiu, Kujtim Buza)

Fatmiri zë vendin e tij, atë që i takon një ´´Mjeshtri të Madh të Punës ´´dhe ´´Artisti të merituar´´. Ai ka zënë vendin që i dha puna, krijimtaria e tij 40 vjeçare ,me qindra figura të historisë skalitur në dhjetra tabllo kompozicionale.

Fatmir Haxhiu mbetet në artin tonë kombëtar si një nga piktorët më të shquar të pikturës bataliste shqiptare që trajtoj tema dhe ngjarje madhore, skaliti figura legjendare të historisë, duke i përkushtuar gjithë jetën mishërimit në art të heroizmit shqiptar. Çdo vepër e tij është një copë Shqipëri. Çdo vepër është studim, shkencë, histori dhe art, një zgjidhje e përkryer e një mjështri që do të mbetet,-shkollë në pikturën bataliste shqiptare-, shkollë që diti të bashkojë talentin artistik, kulturën artistike dhe atë shkencore ushtarake me pathosin e njeriut patriot, human, e aktiv në jete. Çdo vepër e Fatmir Haxhiut është një betejë e fituar.

Fatmir Haxhiu kishte armë të fortë vizatimin, rrokte në karakter dhe ´´luante´´ me figurën duke e vizatuar atë me gjithfarë situatash. Vizatonte natyrshëm me një lëvizje dhe vrull të dukshëm pa trille dhe preokupime entuziaste.Kërkonte ekspresivitet linear dhe gjëndje kontrastuese si dhe portrete shprëhese. Kompozon lirëshëm, figurat i zbulohen natyrëshëm, kanë ritëm,organizon me mjeshtëri ekuilibrin kompozicional piramidal duke evidencuar fitimtarin. Edhe ngjyrën e vë në funksion të temës, të idesë, të modelimit me skurpulozitet të detajit artistik përmes njollash tonale që theksojnë dramacitetin e ngjarjes.

Duke bashkuar të gjitha komponentet artistke mbi një shtrat realist Fatmir Haxhiu formon portretin e një romantiku ekspresiv, mbështetur në atë pak traditë tonën të këtij lloj zhanëri, duke shfrytëzuar elemente të pikturës evropiane, veçanërishte Delakruase.

Fatmir Haxhiu është piktor kombëtar jo vetëm për temën dhe motivet që trajton, tipat dhe karakteret e vërteta që skalit, mjediset ku i vendos ngjarjet dhe vërtetësinë e tyre historike, por së pari në njohjen e thelbit filozofik dhe zbërthimin e botës shqiptare në luftë për liri dhe përparim kombëtar.

Tabëllot e tij janë shqiptare jo pse në to valon flamuri kombëtar por se në to del qartë mesazhi patriotik, përse rroket fort ky flamur, përse ka luftuar ky popull, ç’është kjo botë shqiptare-malsorë trima dhe të bukur,fisnik e bujare. Figurat e pikturuara prej Fatmir Haxhiut janë heroj të vërtetë, të marrë nga natyra, jeta e historia dhe të veshur me pathosin e artistit, që edhe vetë ishte i tillë.

Fatmir Haxhiu ka qënë një pedagog i përkushtuar , ekzigjent dhe tepër serioz që komunikonte me studentët,respektohej prej tyre për kulturën, mënyrën e trasmetimit dhe zbatimin rigoroz të proçesit mësimor. Ishte shumë punëtor dhe i zellshëm. Rruga e suksesit të tij sigurisht që ka qënë talenti, por me punë dhe vullnet të jashtëzakonshëm,Fatmir Haxhiu i ngjiti shkallët e artit lart.

Ishte i ndershëm dhe kërkonte ndershmëri, ishte parimor dhe mbahej me parime, jepte besë dhe donte besë, ishte fisnik në të gjithë qënien e tij. Respektonte traditën dhe me vizione për të ardhmen.

<<< Për tu njohur me opinionet