Llambi Blido. Kritik arti
Prill 2002

Fatmir Haxhiu e nisi Institutin e Lartë të Arteve Figurative në vitin 1960,pa pasur mundësi që të kryente më parë Liceun Artistik.Ai vinte nga Ushtria (pedagog në Akademine Ushtarake me gradën Major) me një përvojë autodidakte, e cila kishte lënë gjurmë tashmë edhe në formimin e tij.

Partizan që në rininë e tij të hershme,ai iu bashkua Batalionit “Dajti”.Fatmiri kishte mbetur romantik i Luftës Nacional Clirimtare dhe i idealeve që ushqeu ajo.Përvoja e jetës ushtarake e pasluftës i kishte dhënë studentit të ri jo vetëm ndjenjën e disiplinës por dhe aftësi prej organizatori (cilësi këto që vinin mbi të gjithë studentet e tjerë). Këto cilësi krijonin nganjëherë kontraditë brënda tij,në mes prakticitetit të përditshëm dhe idealit, kontraditë kjo që manifestohet shpesh edhe tek artistë të tjerë.

Eshtë e kuptueshme që romantika e luftës me të cilën ai si aktivist jetoi në mënyrën më të natyrshme gjatë tërë jetës së tij, përcaktoi që në fillim temën e madhe të mbarë krijimtarisë së tij. Ishte tema e luftës bataliste siç i thonë, pavarsisht nga epokat historike të ndryshme të cilat u trajtuan në këtë krijimtari. Në të njëjtën kohë ai ishte i dashuruar që në rini pas frymës heroike romantike të disa prej kryeveprave të Rënesancës së Lartë. Kjo shfaqej në skicat e vizatimet e F.Haxhiut që kur ish student.

Ai u formua, punoi dhe krijoi si artist i kohës së tij, duke zënë vend me të gjitha përmasat e konsiderueshme të veprës së tij në fondin e çmuar të pikturës moderne shqiptare.

Tabloja e parë e Fatmir Haxhiut qe tabloja e diplomës e vitit 1965. Në atë kohë puna e studentëve për diplomë konsiderohej detyrë serioze dhe zinte një vit të tërë. Diploma realizohej sipas normave të punës mbi një kompozim figural. Këto norma ishin ndikim i një periudhe historike shumë të gjatë nga shkolla realiste europiane e pikturës, e trashëguar nga tradita (kujtoni shënimet nga “Ditari i Delakruasë”).

Studentit F.Haxhiu iu desh të bënte një punë kolosale me modelet, veshjet, paisjet e zgjedhjen e pejzazhit, të gjitha këto për të arritur një shkallë sa më të madhe besueshmërie historike. Në të njëjtën kohë, si artist i vërtetë, të gjitha forcat e tij u vunë për të arritur atë frymë heroizmi dhe sakrifice që duhet të dallonte heronjtë e luftës, gjë që arrihet vetëm në sajë të interpretimit artistik. Mund të thuhet pa mëdyshje se studenti i ri i arriti të dyja. Tabloja e tij e diplomës, e titulluar “Kalimi i Divizionit të Parë në Veri” (200x300)cm, është regjistruar në historikun ende të pashkruar të shkollës sonë të lartë të artit, si një ndër arritjet më të shkëlqyera.

Piktura që ilustron historinë është e natyrshme të jetë tregimtare, si do që nga historia mund të ushqehet një art i natyrës tjetër. Shëmbujt janë të panumërt për të dy rastet.
Fatmir Haxhiu mbeti deri në fund artist i pikturës realiste tregimtare. Komunikimi i kësaj lloj pikture me letersinë është aq i dukshëm e i padiskutueshëm, sa edhe pozitiv.

Në çaste të ndryshme të historisë së artit nën diktaturë,në kritikën tonë të artit nuk kanë munguar insinuatat ndaj pikturës tregimtare për letrarizëm. Mund të thuhet se me të njëjtin sukses mund të sulmoheshin në kohë të ndryshme shkrimtarët dhe poetet për piktorizëm, muzikantët gjithashtu.

Letërsia në një piktur tregimtare me temë historike përbën një komponent të domosdoshëm. Ajo ndihmon historinë dhe nuk mund të mendohet që një piktor i këtij drejtimi të mos ushqehet nga letërsia. Nga ana tjetër dehja jonë pas drejtimeve të tjera shprehese europiano-perëndimore që furnizoi shek.XX në artet pamore, nuk duhet të na bëj të harrojmë detyrat tona, qoftë edhe ato thjesht didaktike ndaj brezave të rinj të shqiptarëve.

Tekstet mësimore, librat e ilustruar dhe revistat nuk mund ti drejtohen fototekës se Marubit për të ilustruar një betejë të Skënderbeut, sigurisht as diletantëve tanë të kohëve të ndryshme. Hartuesit e këtyre botimeve janë të detyruar t’i drejtohen fantazisë dhe mjeshtërisë artistike të Fatmir Haxhiut, Nexhmedin Zajmit, Guri Madhit, Zef Shoshit etj, artistë të shquar profesionistë që kanë përfshirë në krijimtarinë e tyre edhe temën historike. Ata mbeten të vetmit që kanë mundur të bëjnë të dukshme historinë. Eshtë e qartë që një gjë të tillë nuk e bën dot piktura metafizike, abstraksionizmi dhe as artet e tjera eksperimentale si artobjekti. Eshtë e qartë gjithashtu që Shqipërisë do t’i duhen edhe më tej piktorë të tillë, artist të rinj, mjeshtra të tregimit piktoresk, por për këtë nuk po e vë njeri ujin në zjarr!

Tablotë e F.Haxhiut me temën e Luftës N-C1 si dhe të rezistencës së popullit në shekuj janë të shumta. Po përmendim vetëm disa prej tyre:

  • Skroskë” vaj në pëlhurë,(206x330)cm, 1966
  • Në ditët e mësymjes pranverore” vaj në pëlhurë,(260x200)cm, 1968
  • Këshilltarët e Hekalit” vaj në pëlhurë,(303x243)cm, 1971
  • Me shpatë në dorë” vaj në pëlhurë,(550x450)cm, 1978
  • Çajmë rrethimet” vaj në pëlhurë,(240x240)cm, 1978
  • Bashkimi i principatave shqiptare” afresk (300x800)cm, 1981
  • Tokë e zhuritur” vaj në pëlhurë, (300x200)cm, 1985
  • Lufta popullore e Matit e 1941” afresk, (260x500)cm, 1990
  • Beteja e Kaçanikut” vaj në pëlhurë, (150x200)cm, 1997

Ndonse kemi dhe mjaft autorë të tjerë të pikturës me temën e luftës, ka qënë e pamundur që tek ndonjë artist tjetër të bashkoheshin pasioni dhe mjeshteria artistike me përvojën personale nga lufta si tek Fatmir Haxhiu. Përjashtim bënte Foto Stamo, i cili kishte qënë partizan në një moshë më të pjekur dhe që ka dhënë në këtë drejtim portrete partizanësh unikal në pikturën shqiptare, të pa krahasueshëm për nga vërtetsia.

Eshtë për të ardhur keq kur kujton rastet e moskuptimit, si dhe të nënvlerësimit të punës këmbëngulëse e të jashtëzakonshme nga njëra anë dhe të arritjeve reale të Fatmir Haxhiut në këtë fushë nga ana tjetër. Nuk mund të thuhet se ky nënvleftësim ishte i institucionalizuar, përkundrazi ndihmën dhe vlerësimin nga shteti e ka patur deri ne vitin 1983. Kritikat dhe vlerësimi jo sa duhet i erdhën nga korentet e tjera të ligjshme dhe ato që u shfaqën në kufirin e viteve 60-70, që ishin shprehje e një lufte të drejtë për zhvillime të tjera, të cilat kishin munguar deri atëhere në pikturën shqiptare. Në të njëjtën kohë ato ishin edhe shprehje të radikalizimit adolëshent, ekstremizimin dhe fodullëkun e të cilit, pjesa më e madhe e artistëve shqiptar e provojnë dhe sot.

Goditja nga shteti iu dha Fatmir Haxhiut pas vdekjes së Mehmet Shehut. E .Hoxha ishte xheloz edhe me të vdekurit. Ndonse nuk ish e vërtetë që Mehmet Shehu të kish përfituar nga penelat e Fatmir Haxhiut (ai ishte marrë me të shumë më pak se me të tjerët), kush më mirë nga E. Hoxha mund të dinte raportet e individit me masën në art, personazhet e shquar që drejtonin turmat, rolin e tyre në ngjarjet historike, deri në vetë mënyrën si duheshin pasqyruar këto në art ? Këtë e përcaktonte jo piktori dhe artisti, cilido që të ishte ai, por Partia dhe Enveri!

Megjithatë duhet thënë se piktori gjeti forca, vazhdoi edhe më tej punën e tij, meqënëse siç thamë në krye të shkrimit, i gjithë aktiviteti i tij krijues kishte qënë pa asnjë dyshim në harmoni me idealet e tij.

Për Skënderbeun janë bërë shumë piktura, siç dihet, por tablotë më të mëdha për nga përmasat, por edhe në mënyrë të pakrahasueshme më komplekse për nga ndërtimi janë ato të F.Haxhiut “Me shpatë në dorë” realizuar në pëlhurë me bojë vaji, afresku “Bashkimi i Principatave”(Muzeu Historik Kombëtare) si dhe afresku i Naxhi Bakallit (Muzeu i Krujes). N. Bakalli ia ka nënshtruar përfytyrimet e tij një strukture tjetër artistike që është në mjaft elemente larg asaj të Fatmir Haxhiut, gjë kjo e drejtë dhe e kuptueshme.

Vepra e F.Haxhiut na paraqet një Skënderbe në atë linjë që është paraqitur tradicionalisht nga artistët tanë të penelit e të daltës. Mund të bënim një përngjasim për nga fryma me monumentin ekuestër të Janaq Paços në Krujë, i cili pasqyron vizionin mbarë popullor për Heroin Kombëtar. Tabloja “Me shpatë në dorë” e porositur nga kryeministria për hollin e saj ku edhe u vendos, fillimisht u ekspozuar në një ekspozitë të organizuar në Pallatin e Kulturës. Më kujtohet se për ta parë të gjithë tablonë, u detyruam të hipnim në ballkonin e katit të dytë. Dhe megjithatë, qe praktikisht e pa mundur që shikimi ta përfshinte gjithë tablonë. Tërë kompozimi qe një ortek beteje e stuhishme. Mund të merret me mënd puna titanike e artistit, veçanërisht po të kemi parasysh kërkesat e tij fanatike të transmetimit realist të personazheve, tipave, psikologjisë, sendeve dhe pajimeve gjer në detaje. Toni i përgjithshëm i ngrohtë dhe karakteristika e mbarë pikturës së tij, ishte në harmoni me epikën e tablosë. Vepra si kjo në tablonë monumentale si dhe të tjera krijime të F.Haxhiut, mendoj se nuk duhet të mbeten për asnjë kohë larg syve të publikut. Thënë thjesht, ato mbushin me ndjenjën e krenarisë dhe dinjitetit çdo zëmër shqiptare.

Një nga dukuritë më të trishtuara të klasës së artistëve shqiptar në këto 10-11vjet të tranzicionit, mbetet mungesa e solidaritetit. Artist të ndryshëm, shpesh më të mirët, e kanë ndjerë veten këtë periudhë të neglizhuar, të nënvlerësuar, të vetmuar. Ky mjeshtër i pikturës historike, me një përvojë kolosale si askush tjetër, për më tepër se 10 vjet, në kulmin e forcës së tij krijuese, nuk mori asnjë porosi nga shteti shqiptar. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me mjeshtra të tjerë të pikturës historike si Vilson Kilica, Zef Shoshi, Sali Shijaku etj.

Dihet se piktura është bërë përherë me korrektësi kur ka qënë fjala për vepra me shpenzime të mëdha që nuk përballohen nga artistë të varfër. Mjeshtri Fatmir Haxhiu, porosit,që shteti dhe shoqëria shqiptare ja refuzuan, u mundua me një fare mënyre ti gjente jashtë shqipërisë tek atëdhetar të veçantë që krenohen me historinë e kombit të tyre, më tepër se sa ne këtu, si dhe tek të huaj të ndryshëm të cilët për çudi kanë respekt për të kaluarën tonë bataliste që mbajnë datën e dhjetëvjeçarit të fundit, i gjen të shpërndara në të katër anët e botës në Europë, Afrikë, Amerikë, Azi dhe Australi, por fatkeqësisht jo në Shqipëri.

Edhe më keq akoma, ai e ndjeu veten të neglizhuar edhe mes kolegëve të tij, në aktivitetet e ndryshme që nuk kanë munguar në këtë 10- vjeçar të trazuar. Shtojmë këtu qëndrimet drastike të burokratëve të ndryshëm ndaj artit dhe trashegimisë artistike, qëndrime që diktohen nga interesa politike të çastit dhe që siç duket janë të pranishme në çdo sistem.

Mendoj se tani që ai nuk është më, mund të përpiqemi të korrigjohemi disi prëpara kujtimit të tij nese do të ndërmarrim inisiativën të bëjmë një album të plotë e me cilësi të lartë, ku të përfshihen të gjitha veprat e këtij mjeshtri që ilustroi historinë e popullit të tij. Në duart e brezave të rinj, të shkollarëve dhe studentëve, një album i këtillë do të kishte vlera të pallogaritshme njohëse dhe edukuese.

<<< Për tu njohur me opinionet