Tefik Ēaushi. Studiues
Tiranė 20 gusht, 2002

Mbresa për mikun tim Fatmir Haxhiu

Artistët kanë “privilegjin” që na detyrojnë t’i zëmë në gojë, pavarësisht nëse ndeshemi a jo me ta, të gjallë a të vdekur qofshin. Ndër ta bën pjesë edhe Fatmir Haxhiu.

Nuk dua të përmend titujt apo çmimet e tij. Edhe pa to ai qe e mbeti artist. Dua të kujtoj, pra të nderoj veprën e tij.

Ndoshta s’është pa gjë të thuash se duke qenë bir i një qyteti të ndërtuar me magji artistike, ai e kishte marrë fluturimin drejt shtigjeve të artit, që nga sokakët e vendlindjes. E po kështu, tek mbante rroben e ushtarakut, dëshira i vlonte përbrënda që të hidhte në pëlhurë ngjyrat e ylberit.

T’ia prezantoje dikujt Fatmirin si artist të arteve figurative, do të kujtonte se qe skulptor: shtat i lidhur, tors luftëtari, kokën lart dhe hapin e vendosur. Qe skulpturë e gjallë së jashtmi. Po shpirtin? I ndershëm, dashamirës, krenar dhe punëtor i palodhur.

Kush di diçka nga tronditja e familjes Haxhiu, habitet ku e gjente ai burrë atë forcë për të mposhtur paudhësitë e jetës. Kush kujton kushtet në të cilat punonin sidomos piktorët e skulptorët në kushtet e atij regjimi të urryer, trysninë ndërmjet porosive të artit zyrtar dhe dëshirës për të bërë art të vërtetë, do të habitet ku e gjente atë potencial artistik për të mos u turpëruar nga vepra e vet.

Ndër cilësitë e krijimtarisë që vlejnë për tu vënë në dukje, do të përmendja realizmin dhe frymën patriotike. Ai e donte aq shumë Shqipërinë, dhe kjo dashuri ndihet në veprat e tij kryesore (oh, sa shumë kemi nevojë sot, për të qenë patriot të vërtetë si ai).

Piktura e Haxhiut i bën nder pikturës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Ajo rri dënjësisht në koleksionin e pikturave më të mira dhe tashmë ka hyrë në fondin e traditës së kulturës shqiptare. Ajo do të jetë aktive në edukimin e artistëve të rinj dhe të brezave të rinj, me shijen estetike dhe ndjenjën e atdhedashurisë. Të shumta janë përshtypjet e admiratorëve të penelit të tij, po qëmtuesi i atyre përshtypjeve do të bënte mirë të rrinte pak çaste tek porta e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, për të dëgjuar ato çka thonë vizitorët, të vendit dhe të huaj, sepse notën më të saktë e vë publiku.

Rastësisht zemra e tij pushoi në pallatin ku banoj unë, tek luante shah. Luante me shumë elegancë artistike se sa me profesionalizëm sportive. Vdekja është gjithherë e hidhur. Po ka dhe vdekje të bukur. Ai vdiq “bukur”, sepse la prapa një galeri të tërë të bukurisë.

<<< Për tu njohur me opinionet