Beteja e Albulenės

(150x300)cm, piktur vaj, krijuar rreth viteve1970 (dimensioni i përafërt)

Fatmir Haxhiu është ndër piktorët më të suksesshëm në realizimin e kompozicioneve me tematikë historike. I frymëzuar me heroizmin e popullit shqiptar në krye me Skënderbeun, ai realizoi një vepër që për nga dimensioni artistik i kishte thyer caqet e deriatëhershme të artit piktural shqiptar. Piktori merr si trajtim një nga betejat më të lavdishme të ushtrisë shqiptare kundër ushtrisë osmane,betejën e Albulenës. Kjo´´Betejë..``si vepër artistike i ka të gjitha premisat e një piktur historike, ku reflektohet një akt sulmimi, një dramatikë ngadhënjuese e Skënderbeut dhe e ushtarëve të tij.

Beteja u zhvillua më 2 shtator 1457 në fushën e Albulenës pranë lumit Mat, në perëndim te malit të Tushemishtit. Skënderbeu përdori një strategji të re, ndau ushtrinë në tri pjesë. Pjesën e parë të ushtrisë e komandonte vetë,të dytën Pjetër Emanueli, kurse të tretën Gjon Stres Balsha.Ushtria armike u godit nga të gjitha anët dhe u dërmua tërsisht. Në këtë betejë të furishme dhe të organizuar mirë, lavdia e Skënderbeut edhe më shumë e mori dhenë, jo vetëm në Arbëri por edhe në Evropë.

Fatmir Haxhiu merr në konsiderim një veprim të furishëm të Skënderbeut, që ngjan me shkrepëtimën e rrufesë.Madje, radhitja e fitimtarëve në epërsi dhe e të mundurve në anën tjetër janë dhënë në lëvizje dhe qartësi me anë të masës vëllimore, tensioneve të orientuara dhe ngjyrëshmërisë së ´´mjegulluar``.Vetë akti i betejës është proçes i dramatikës së përgjakur ,por në esencë ruan simbolikën historike për gjakun, gjuhën dhe tokën atërore. Kjo vepër artistike i shtin në veprim ndjenjat tona për ta përjetuar si ngjarje të kohës dhe si vepër të bukur artistike.

Shënim: Ky fragment është marrë nga libri´´Gjergj Kastrioti Skënderbeu në artet figurative``botuar në Prishtinë 1998,autor Rexhep Goçi

<<< Për tu kthyer në listën e veprave